Monedha shqiptare, rrugëtimi nga Banka e parë Kombëtare,deri sot

Historia e monedhës kombëtare shqiptare nis në një kohë me krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e konstituar më 2 shtator të vitit 1925. Banka u krijua me nënshkrimin e konventës përkatëse midis grupit financiar italian të kryesuar nga Mario Alberti dhe Qeverisë së Ahmet Zogut. Konventa përcaktonte ndër funksionet e këtij institucioni, përveç kreditimit, emetimin e kartëmonedhave me kurs ligjor për pagesat në Shqipëri si dhe emetimin e monedhave të arit dhe të metaleve të tjera, me të drejtë ekskluzive.
Ky mund të quhet institucioni i parë emetues kombëtar i parasë, por historia e popullit tonë dëshmon prerjen e monedhave të para që në shekullin IV p.e.s., nga Dyrrahu (Durrësi) dhe Apollonia (Pojan pranë Fierit), qytete të Ilirisë.
Për herë të parë, Shqipëria pati një institucion të bankës qendrore në vitin 1913, si rezultat i marrëveshjes së Qeverisë së Ismail Qemalit, me Karol Pitner e Oskar Pollak, përfaqësues të grupit bankar austro-hungarez të Ëienner Bank Verein, si dhe me Pietro Fenolio e Guido Ansbaher përfaqësues të grupit bankar italian të Banca Commerciale Italiana. Ky institucion nuk jetoi gjatë për vetë  kushtet politike të kohës dhe për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore.
Në vitin 1925 kur u krijua banka, në Shqipëri qarkullonin një mori monedhash të vendeve të ndryshme, ndaj Banka Kombëtare e Shqipërisë mori masa për t'i zëvendësuar këto me monedhën e vetme shqiptare. Si njësi monetare zyrtare u caktua Frangu ar, me nënfishat e tij (leku dhe qindarka, ku 1 frang ar ishte baras me 5 lekë dhe 100 qindarka) dhe shumëfishat e tij 5, 20 dhe 100 franga ari.

Kartëmonedha e parë e emetuar ishte ajo me prerje 5 lekë/ 1 frang ar. Ajo rezultoi jetëshkurtër për shkak të kundërshtimeve të shprehura nga qeveria shqiptare e kohës mbi shqiponjën e paraqitur në të, e cila në dallim nga shqiponja dykrenare, simbol I kombit tonë, paraqiste shqiponjën me një kokë sipas stilit romak.
Përgjatë vitit 1926, Banka Kombëtare e Shqipërisë emetoi dhe hodhi në qarkullim:
kartëmonedhat me prerje 5 franga ari, 20 franga ari dhe 100 franga ari;
monedhat ar 20 franga ari dhe 100 franga ari, monedhat argjend 2 franga ari dhe 5 franga ari, dhe monedhat e tjera 5 qindar leku, 10 qindar leku, ¼ leku, ½ leku dhe 1 lek.

Me fundin e Luftës së Dytë Botërore, të gjitha funksionet dhe detyrimet e Bankës Kombëtare të Shqipërisë pushuan së ekzistuari. Vetë banka u shtetëzua dhe në vitin 1945 u krijua Banka e Shtetit Shqiptar.
Viti 1947 shënon një moment të rëndësishëm për monedhën tonë kombëtare. Me dekretligjin e datës 7 korrik 1947, si njësi monetare caktohet Leku, i cili zëvendësoi Frangun, ndërsa ky i fundit tërhiqet përfundimisht nga qarkullimi. Që nga ky moment, kartëmonedha lekë ndryshon herë pas here simbolikën dhe përmasat.

Moment tjetër i rëndësishëm në historinë e monedhës tonë kombëtare është viti 1965, vit në të cilin ndryshoi raporti midis prerjes lek të përdorur që nga viti 1947 me atë të emetuar në këtë vit në raportin 10 lekë (vitet 1947,1957) = 1 lek (viti 1964 e në vazhdim). Gjithashtu, për herë të pare shtypen dhe hidhen në qarkullim nënfisha të lekut, qindarkat.

Ardhja e vitit 1991 do të sillte ndryshime edhe në elementet e sigurisë të kartëmonedhave, ku për herë të parë vendoset filli i sigurisë në kartëmonedhën 100 lekë.
Banka e Shqipërisë krijohet në vitin 1992 si banka qendrore e vendit. Ndër funksionet e saj kryesore, theksohet edhe roli i saj si emetuese e vetme e kartëmonedhës dhe monedhës kombëtare që ka kurs ligjor brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.Që në vitin e parë të krijimit të saj, Banka e Shqipërisë nën ndikimin e ndryshimeve të mëdha socio-politike në vend, përballet me domosdoshmërinë e rritjes së sasisë së monedhës në qarkullim si dhe ndryshimin e strukturës së prerjeve të saj. Si rrjedhojë, emetimet e këtij viti kanë ndryshime në tematikën e çdo prerjeje, kjo për shkak të jodiktimeve nga sistemi politik.
Gjithashtu, për herë të parë në emetimet e pasluftës, vendosen në kartëmonedha firmat e Guvernatorit dhe të Drejtorit të Departamentit të Emisionit dhe Administrimit të Parasë.

Vitet në vijim, shënojnë një rritje të vazhdueshme të kërkesës së ekonomisë për para. E shtyrë nga përgjegjësia për t'iu përgjigjur më së miri kësaj kërkese me një strukturë të përshtatshme prerjesh, Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 1995, kreu studime për një emision të ri të monedhës dhe kartëmonedhës. Ky emision u projektua tërësisht i ri në tematikë, me një seri monedhash metalike të përbërë nga 6 prerje: 1, 5, 10, 20, 50 dhe 100 lekë. Ndërsa, seria e kartëmonedhave përbëhet nga 5 prerje: 100, 200, 500, 1000, 5000 lekë, të cilat janë rishtypur në vite të ndryshme duke përmirësuar elemente sigurie të cilat rritën ndjeshëm besueshmërinë ndaj parasë dhe e bënë atë më të fortë ndaj falsifikimit. Në rishtypjen e kartëmonedhave është ruajtur pamja (vizatimet e tyre), por veç elementeve të sigurisë kanë ndryshuar edhe firmat në kartëmonedha.

Shkrimi u botua në suplementin RILINDASI të gazetës SHQIPTARJA.com