Në vendin tonë prerja (shtypja e monedhave) e ka zanafillën që në shekujt VII-VI p.e.s në Dyrrah (Durrësi i sotëm) dhe Apoloni (Pojan i Fierit). Janë pikërisht monedhat e kësaj periudhe të cilat shënojnë pikënisjen e historisë të koleksionit të monedhave për qëllime numizmatike. Monedha argjendi dhe bronxi, të prera në emër të mbretërve ilirë Monun e Gent, të qendrave ilire të Shkodrës, Lezhës Amantias, Bylisit, Durrësit dhe Apolonisë, që datojnë që nga mesi i shek. V para Krishtit, dëshmojnë për një ekonomi të fortë të këtyre qyteteve. Monedhat e këtij lloji janë të ndryshme në emetimet e prerjeve, por edhe në pozicionet e lopës dhe viçit. Tipet e monedhave që i përkasin prerjeve të Durrësit janë rreth 27 ndërsa ato të Apolonisë 15. Ka qëndrime të ndryshme në lidhje me shpërndarjen e këtyre monedhave. Informacionet zyrtare flasin për një shtrirje të vogël të përdorimit të tyre, kjo pasi arkeologjia e kësaj periudhe 20- vjeçare ka qënë një arkeologji në reminacion. Ndërsa koleksionistët privatë kanë gjetur nga këto tipe monedhash me sasi të konsiderueshme në shumë zona të vendit tonë dhe burimet shkencore flasin për një hapësirë të madhe shtrirjeje të përdorimit të tyre. Në vendin tonë ato përveçse në Durrës dhe Apoloni janë gjetur me shumicë në zona të ndryshme si në Korçë, Shkodër, Elbasan, në kalanë e Lleshanit, në Gramsh, Mokër, madje dhe një sasi mjaft e madhe ka qenë gjetur në zonat e thella të Kukësit dhe rreth 70 copë janë shitur në tregun informal të numizmatikës në fillim të viteve ‘90.
Illyria, Dyrrhachium 1st c. BCE AR drachm (3.19 gm) |
Për vlerësimin e kësaj monedhe të rëndësishme për kohën flasin edhe studjues të huaj, të cilët vërejnë se Apollonia, ashtu si Dyrrachiumi më në veri, ishin porte të rëndësishëm të brigjeve ilire si dhe kishin lidhje tregtare majft të fuqishmë me Brundusiumin dhe Greqinë e veriut. Ato kishin doganat, si dhe bënin stampimin e monedhave të tyre që janë gjetur deri në vise të largëta të pellgut të Danubit.
Mes këtyre monedhave eshte edhe një tip monedhe që është emetuar nga mbreti Ilir Monun. Dy nga këto janë gjetur në Darëzezë. Për këto tipe monedhash Moikom Zeqo vëren se: Informacioni i monedhave na jep të dhëna, që mungojnë në kronikat e autorëve antikë. Monedhat e Mbretit ilir Monuni na tregojnë ekzistencën e kësaj figure historike, që ishte mbret i taulantëve në krahinën e Durrësit”. Zeqo bën me dije se këto monedha janë studiuar nga dekani i arkeologjisë shqiptare Hasan Ceka. Sipas tij, në mesin e shek. IV para Krishtit ilirët taulantë krijuan një shtet të fuqishëm. Ky shtet u fuqizua rreth qendrës së Dyrrahut. Jo më vonë se në vitin 350 para Krishtit qyteti ra në varësinë politike dhe ekonomike të ilirëve. Mbreti i tyre, Monuni, filloi të presë në punishten monetare të Dyrrahut një variant të ri tridrahmeje me lopë e viç, që mban legjendën Basiloeos Monunion dhe që farkëton kështu sundimin taulant, për të cilin heshtin burimet e shkruara. Sias Zeqos: ”Dyrrahu bëhet kështu qendra më e spikatur e ilirëve. Sundimi i Monunit mbi Dyrrahun nuk qe një episod i shkurtër, por zgjati për shumë vite, mesa duket deri në vdekjen e tij. Monedhat e Monunit tregojnë fuqinë e tij. Dhe në pikëpamje simbolike, Monuni nuk e përfill legjendën Dyr të qytetit, por e zëvendëson me një majë heshte, arma kryesore e sulmit të luftëtarëve ilirë. Monuni është i pari mbret ilir që emeton një veprimtari monetare autonome. Sidomos gjatë viteve 330-325 para Krishtit”. Monedha e parë e Monunit i përket viteve 350-330 para Krishtit. Në faqen e monedhës prej argjendi është figura e lopës me kokën e kthyer nga viçi që pi gjinjtë e saj. Mbi lopën është figura e një nofulle derri të egër. Në shpinën e monedhës është një fushë katrore e ndarë në dy katërkëndësha të mbushur simetrikisht me zbukurime në trajtë kokrizash e bishtash, e gjitha e rrethuar zakonisht nga një kornizë. Mbi dy nga brinjët e kornizës është emri i mbretit në rasën gjinore.
Pra, kur Monuni e pushtoi Dyrrahun, ai vendosi si heraldikë triumfuese pikërisht nofullën e derrit të egër mbi simbolin e mëparshëm të monedhës me lopë dhe viç. Një alternativë e tillë shpjegimi është plotësisht e mundshme. Kjo do të përbënte një invers të vetë mitit të Meleagrit. Këto janë dy shpjegimet e hapura për diskutim. Por jemi gjithmonë në fushën e mitologjisë. Në faqen e mbrapme të monedhave bëhet fjalë për simbole ende të pazbërthyera. Disa dijetarë thonë që zbukurimet gjeometrike brenda kornizës përfaqësojnë Kopshtin e Alkinoit, kurse disa të tjerë dy yje, që lidhen me heronjtë binjakë Dioskurë. Këtyre miteve u duhet shtuar edhe miti i kryehershëm i themelimit legjendar të Dyrrahut prej heroit Herkul. Skalitja e armëve të Herkulit flet për këtë. Kurse figura e zogut Kurillë mbetet ende e pashpjegueshme. Në monedhat e Monunit gjejmë historinë e tij të pashkruar, triumfin e tij shtetëror, novacionin që për herë të parë një mbret ilir pret monedha autonome si dhe një gjuhë figurative të pasur dhe plot imagjinatë të strukturave të disa miteve të mëdha antike.
Drahmi Ilir nga Epidamnos, Dyrrhachium, Illyria 3rd-2nd centuries BC. |
Drahmi e diku vitit 100 p.e.r. AIBATIOS(e gjetur ne Apolloni) |
Monedhat e argjendit përdoren gjerësisht si ekuivalent shkëmbimi. Në krahinat bregdetare gjejnë një përhapje të madhe monedhat e Dyrrahut e të Apolonisë, kurse në ato të brendshme dhe lindore monedha e Damastionit. Gjetjet e deritanishme tregojnë se kjo monedhë qarkulloi në një zonë të gjerë që përfshinte krahinën e diestëve, penestëve dhe pjesërisht atë të lynkestëve. Prerja dhe hedhja në treg e monedhave nga një qytet ilir si Damastioni është një fakt me rëndësi të veçantë. Ai tregon se tani, në pjesën e parë të shek. IV p.e.sonë, krahas Dyrrahut dhe Apolonisë, të cilat me monedhat e tyre, qysh nga shek.V p.e.sonë kishin mbuluar krahinat e afërta të ultësirës bregdetare dhe i kishin tërhequr ato në orbitën e marrëdhënieve skllavopronare, një qytet ilir, Damastioni, lindi dhe u bë qendër e rëndësishme ekonomike e krahinave të brendshme. Ai hodhi në treg monedhën e vet dhe me këtë shënoi shtrirjen e mëtejshme të sistemit monetar në krahinat e brendshme të Ilirisë Jugore. Ekonomia monetare theu kështu dhe në këtë pjesë të Ilirisë ekonominë e prapambetur natyrore, për t’i hapur rrugën një sistemi të ri ekonomik, skllavopronarisë.
Drahmi e vitit 360-345. Rs: [DA]MASTIN[W]N (damastion). KHFI |