Monedhat e argjendit përdoren gjerësisht si ekuivalent shkëmbimi. Në krahinat bregdetare gjejnë një përhapje të madhe monedhat e Dyrrahut e të Apolonisë, kurse në ato të brendshme dhe lindore monedha e Damastionit. Gjetjet e deritanishme tregojnë se kjo monedhë qarkulloi në një zonë të gjerë që përfshinte krahinën e diestëve, penestëve dhe pjesërisht atë të lynkestëve. Prerja dhe hedhja në treg e monedhave nga një qytet ilir si Damastioni është një fakt me rëndësi të veçantë. Ai tregon se tani, në pjesën e parë të shek. IV p.e.sonë, krahas Dyrrahut dhe Apolonisë, të cilat me monedhat e tyre, qysh nga shek.V p.e.sonë kishin mbuluar krahinat e afërta të ultësirës bregdetare dhe i kishin tërhequr ato në orbitën e marrëdhënieve skllavopronare, një qytet ilir, Damastioni, lindi dhe u bë qendër e rëndësishme ekonomike e krahinave të brendshme. Ai hodhi në treg monedhën e vet dhe me këtë shënoi shtrirjen e mëtejshme të sistemit monetar në krahinat e brendshme të Ilirisë Jugore. Ekonomia monetare theu kështu dhe në këtë pjesë të Ilirisë ekonominë e prapambetur natyrore, për t’i hapur rrugën një sistemi të ri ekonomik, skllavopronarisë.
Marr nga Wikipedia.