Banka e Shqipërisë u krijua më 4 tetor të vitit 1913. Rrjedha e historisë e solli që në këtë 90 - vjetor, të jem në funksionin e lartë të
Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Personalisht, mendoj se është nder të parathuash “vijën e jetës” të Bankës së Shqipërisë në një
botim të vlefshëm si “Historia e Bankës Qendrore në Shqipëri”.
Botimi, i pari i historisë së Bankës, do të mbetet përpjekja e fillimit për të përshkruar rrugën në të cilën ka ecur, është rritur e
transformuar Banka e Shqipërisë. Ndjehem i lumtur që arritëm t’i jepnim publikut një libër që i ka munguar për një periudhë të gjatë
kohore dhe shpresoj që në të ardhmen, historianë e studiues të shkencës së ekonomisë e financës do të hulumtojnë më tej në traditën
e sistemit bankar shqiptar.
Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar shqiptar kanë shënuar zhvillime pozitive nga periudha në periudhë dhe ky botim do të
shërbejë jo vetëm për renditjen historike të ngjarjeve dhe të përpjekjeve në këtë drejtim, por edhe si mirënjohje nëpërmjet evidentimit
ndaj të gjithë atyre që kontribuan në ngritjen dhe në konsolidimin e sistemit bankar në Shqipëri.
Në këtë libër, paraqitet historia e institucionit të bankës qendrore si pjesë e sistemit bankar shqiptar dhe e cila vazhdimisht gjatë
hapësirës kohore të trajtimit të saj, është orientuar pothuajse paralelisht me historinë e kombit shqiptar.
1913—Qeveria e Ismail Qemalit vë themelin e Bankës
Ideja për ngritjen e një Banke Kombëtare Shqiptare zë fill që në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare. Në veprën e tij “Shqipëria
ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet?”, patrioti i shquar Sami Frashëri shtron domosdoshmërinë e ngritjes së një Banke Kombëtare të
Shqipërisë dhe propozon si njësi monetare të Shtetit të ri Shqiptar, frangun shqiptar.
Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 Nëntor të vitit 1912, diplomati i shquar Ismail Qemali krahas detyrave të
tjera për ndërtimin e Shtetit Shqiptar mori masat për ngritjen e Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Bisedimet e para, ai i kreu me Karol
Pitner e Oskar Pollak, përfaqësues të Wienner Bank Verein që vepronte në emër të grupit bankar austro - hungarez dhe me Pietro
Fenolio e Guido Ansbaher përfaqësues të Banca Commerciale Italiana. Gjatë kësaj kohe, u morën masa të gjithanshme për të
mbështetur fillimin sa më të shpejtë të veprimtarisë së bankës. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, gazeta “Përlindja e Shqipënies”, organ
i Qeverisë së Ismail Qemalit, depozitoi pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë fondet që dispononte. Sipas studjuesit Haxhi
Shkoza, asokohe Inspektor i Përgjithshëm i Oborrit Mbretëror në kohën kur ka botuar librin -1935, veprimtaria e bankës nisi
menjëherë në fillimin e tetorit 1913 ndërsa Qeveria Shqiptare do t’i bënte thirrje shtresave të pasura që mjetet e lira t’i depozitonin
në bankë.
Marrëveshja e tetorit 1913, dinjitoze për kohën, tregoi jo vetëm orientimin politik properëndimor të Qeverisë së Ismail Qemalit, por
njëkohësisht edhe vizionin shtetformues të saj. Një shtet pa bankën e tij nuk vlen asgjë. Dyqind e tre vjet më parë, pikërisht më 18
janar 1800, kur u krijua Banka Qendrore Franceze, Napoleoni do thoshte se “nëse shteti pret paratë nga bankierët, atëherë kontrollin
e shtetit e kanë bankierët dhe jo shtetarët”.
Ndërsa Ismail Qemali e konsideronte aktin e krijimit të Bankës Kombëtare si fitoren e dytë pas shpalljes së pavarësisë kombëtare.
Ngjarjet që rodhën në këtë kohë, si shpërthimi i luftërave ballkanike dhe i Luftës së Parë Botërore e shndërruan Shqipërinë në një
shesh lufte. Në këto rrethana, Banka Kombëtare e Shqipërisë, pa kaluar shumë kohë do të mbyllte veprimtarinë e saj.
Pas ripohimit me akte ndërkombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1921, u bënë diskutime të shumta për ngritjen sërish të një
banke kombëtare, gjë që u bë realitet në bazë të marrëveshjes së përfunduar nga Mufid Libohova në emër të Qeverisë Shqiptare
dhe Mario Albertit në emër të një grupi financiar italian. Qendra administrative e Bankës Kombëtare të Shqipërisë do të ishte në
Durrës, ndërsa Komiteti Administrativ do ta kishte qendrën e tij në Romë. Kjo bankë u themelua me 2 shtator 1925 dhe në shkurt të
vitit 1926 hodhi në qarkullim monedhën e parë kombëtare shqiptare. Duke mos qenë vetëm një bankë emisioni, ajo e shtriu
veprimtarinë edhe në lëmin e kreditit, ku gjatë një periudhe 10-vjeçare veproi në kushte monopoli dhe nga viti 1938 u gjend në një konkurrencë të fortë me degën në Shqipëri të Bankës së Napolit.
Në fjalimin e përurimit të ndërtesës së Bankës së Shqipërisë në Tiranë, në vitin 1938, drejtori i asokohe Antonio Moscheti do të
shprehej “ndërtesa e re, vepër e ndritur e arktitektit Prof.Morpurgo dhe e bashkpunëtorve të tij, në vijat e saj të matura e hijerandë
aq sa edhe artistikisht elegante, dëshiron me qënë pikërisht shprehja dhe sinteza e atij organizmi të fortë e të sigurtë siç është Banka
Kombëtare e Shqipërisë”.
Konventa ekonomiko-doganore e prillit 1939, që përkon me periudhën e luftës në Shqipëri, i dha mundësi Bankës Kombëtare të
Shqipërisë të bëjë ndryshime thelbësore në politikën e saj monetare. Karakteristikë dalluese e kësaj periudhe ishte kalimi nga politika
deflacioniste në atë inflacioniste në lëmin e monedhës. Ajo qe aktive në fushën e kreditit ku, në konkurrencë me Bankën e Napolit
dhe me Bankën Kombëtare të Punës, rriti shumë kreditimin dhe mbajti pozita sunduese në tregun shqiptar.
’44-’90, Banka e Shtetit në funksion të ekonomisë së centralizuar
Me çlirimin e Shqipërisë, më 29 nëntor 1944, filloi procesi i shtetëzimit. Më 13 janar 1945, u miratua ligji mbi anulimin e konvencionit
të Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe të aksioneve të saj. Po në këtë datë u miratua edhe ligji organik i Bankës së Shtetit Shqiptar.
Kjo bankë u krijua si një institucion i rëndësishëm i sistemit financiar të Shtetit Shqiptar.
Pak kohë më vonë u morën masa të tjera për përqëndrimin e bankave në duar të shtetit. Kështu, në gusht të vitit 1945 u suprimua
Banka Kombëtare e Punës, ndërsa në nëntor të vitit 1945 u suprimua Banka e Napolit në Shqipëri. Gjatë vitit 1945, Banka e Shtetit
Shqiptar nisi të zhvillojë veprimtarinë e saj në lëmin e emetimit të monedhës dhe të kreditit.
Banka e Shtetit Shqiptar trashëgoi edhe aksionet që kishte Banka Kombëtare e Shqipërisë pranë Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare
në Bazel. Por, disa vite më vonë, më 20 maj 1977 drejtoria e përgjithshme e Bankës së Shtetit Shqiptar i dërgon një telegram Bankës
së Rregullimeve Ndërkombëtare ku kërkohet shitja e këtyre aksioneve dhe në këtë mënyrë vendoset largimi nga BIS Bazel-i.
Që nga shkurti i vitit 1946 deri në fund të vitit 1990, Banka e Shtetit mbështeti procesin e zhvillimit të ekonomisë socialiste. Gjatë
kësaj periudhe, në Shqipëri kanë vepruar një numër i kufizuar bankash. Karakteristikë për këtë periudhë ka qenë centralizimi i skajshëm
i këtij sistemi në duart e shtetit. Banka e Shtetit Shqiptar, si bankë qendrore ishte qendër e emisionit të monedhës. Ajo grumbullonte
mjetet përkohësisht të lira dhe u jepte ndërmarrjeve, kooperativave bujqësore dhe personave të veçantë kredi afatshkurtër dhe
afatgjatë, kryente shërbimin e arkës unike, mbante llogaritë e të ardhurave dhe të shpenzimeve, ruante fondet në valutë të shtetit,
kryente veprimet ekonomike e financiare të shtetit me vendet e tjera dhe me bankat e huaja.
Pas vitit 1990, transformimi i madh politik drejt demokracisë solli ndryshime thelbësore edhe për sistemin bankar. Tiparet kryesore të
këtij transformimi ishin ndarja e funksioneve të bankës qendrore nga funksionet e bankave të nivelit të dytë (bankave tregtare), rritja
e numrit të bankave, shtrirja e veprimtarisë së tyre të kreditit në disa degë të ekonomisë shqiptare si dhe hyrja e kapitalit të huaj në
tregun bankar.
’92—Për herë të parë një Bankë Qendrore e mirëfilltë
Për periudhën 1992 – 2002, historiku përshkruan disa nga funksionet që kryen Banka e Shqipërisë si banka qendrore e Republikës
së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë u krijua gjatë procesit të tranzicionit me kalimin në sistemin bankar dynivelor dhe me krijimin e
hapësirës së nevojshme ligjore për një bankë qendrore, e cila u zyrtarizua me miratimin e ligjit nr. 7559 “Për Bankën e Shqipërisë”,
datë 22 prill 1992. Rishikimet e mëvonshme që iu bënë këtij ligji u hartuan sipas modeleve të vendeve perëndimore e rekomandimeve
të organizmave ndërkombëtarë.
Theksojmë se statusi i saj sanksionohet në nenin 161 të Kushtetutës dhe me ligjin nr.8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”,
i cili përcakton objektivat, detyrat, marrëdhëniet me sistemin bankar dhe me shtetin, organizimin dhe drejtimin, pronësinë mbi kapitalin,
pasqyrat financiare dhe shpërndarjen e fitimit.
Banka e Shqipërisë është person juridik publik dhe përgjigjet para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Në cilësinë e autoritetit
monetar e mbikëqyrës të vendit, Banka e Shqipërisë gëzon të gjitha funksionet e mirëfillta të një banke qendrore klasike: harton,
miraton dhe zbaton politikën monetare të vendit; ka të drejtën ekskluzive të nxjerrjes e të qarkullimit të kartëmonedhës dhe të
monedhës kombëtare; mban dhe administron rezervat valutore të Republikës së Shqipërisë; harton, miraton e zbaton regjimin e
këmbimit valutor si dhe politikën e kursit të këmbimit; licencon ose revokon licencën për ushtrimin e veprimtarisë bankare si dhe
7
mbikëqyr aktivitetin bankar me qëllim sigurimin e stabilitetit të sistemit bankar; shërben si bankier, si këshilltar dhe si agjent fiskal i Qeverisë së
Republikës së Shqipërisë; shërben si bankë e bankave të nivelit të dytë si dhe nxit funksionimin normal të sistemit të pagesave.
Me qendër në Tiranë dhe me 5 degë në Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Korçë dhe Lushnje, Banka e Shqipërisë drejtohet nga Këshilli
Mbikëqyrës, i cili kryesohet nga Guvernatori. Brenda kompetencave të përcaktuara me ligj, ajo është e pavarur nga çdo pushtet tjetër
për realizimin e objektivit kryesor të veprimtarisë së saj, si dhe në ushtrimin e detyrave të ngarkuara. Çdo subjekt është i detyruar të
respektojë pavarësinë e Bankës së Shqipërisë, të mos kërkojë të influencojë te ndonjë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës për të cënuar
detyrimet e tij ndaj Bankës së Shqipërisë, si dhe të mos ndërhyjë në veprimtaritë e Bankës së Shqipërisë.
E ardhmja, në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore
Si konkluzion do të thoja se historikisht, Banka e Shqipërisë ka qenë modeli i institucionit ndër më të konsoliduarit në vend, duke
ruajtur me rigorozitet marrëdhëniet ndërinstitucionale brenda dhe jashtë vendit. Parimet dhe rregullat solide insistucionale, dëshmojnë
se nga kjo pikëpamje, banka ka qenë vazhdimisht model për insitucionet e tjera shqiptare dhe ka qenë dinjitoze në raport me
homologet e veta kudo në botë dhe institucionet financiare ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, evoluimi historik i vetë konceptit të bankës qendrore është po aq interesant sa edhe historia e këtij institucioni. Sot,
Banka e Shqipërisë, zbaton parimet e një banke klasike qendrore, krejt ndryshe me fillimet e veta, kur i shihte bankat tregtare si
konkurente dhe pengonte zgjerimin e rrjetit bankar.
Sfida e rradhës e Bankës së Shqipërisë është integrimi monetar drejt Sistemit Monetar Evropian dhe model referimi janë bankat më
të njohura qendrore në botë dhe në veçanti Banka Qendrore Evropiane. Shqipëria është përfshirë ethshëm në një proces reformash
ekonomike e financiare në rrugën e integrimit në familjen evropiane dhe Banka e Shqipërisë synon të jetë përsëri e para me kontributin
e saj në këtë proces historik për vendin.
Si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, dua të falenderoj dhe të përgëzoj të gjithë ata që punuan dhe ndihmuan në përgatitjen e
botimit “Historia e Bankës Qendrore në Shqipëri1
, si dhe Arkivin Qendror të Shtetit, Institutin e Historisë pranë Akademisë së
Shkencave, Bibliotekën Kombëtare—Tiranë, Bibliotekën “Marin Barleti” Shkodër, Bibliotekën e Universitetit “Luigj Gurakuqi” si dhe
Fototekën “Marubi”-Shkodër. Gjithashtu, dëshiroj të falenderoj përzemërsisht të gjithë ata që ndihmuan në dhënien e mjaft dokumenteve
të vyera dhe veçanërisht familjarët e atyre që drejtuan në vite institucionin e rëndësishëm të Bankës së Shqipërisë. Krahas vlerave, një
vepër e tillë mund të ketë edhe mangësi dhe Banka e Shqipërisë mirëpret çdo vërejtje apo sugjerim në drejtim të përsosjes së këtij
botimi. Së fundi, shpresojmë që ky botim historik e përgjithësues do të ndihmojë në edukimin e mëtejshëm të publikut me njohuritë
mbi historinë, funksionet dhe arritjet e Bankës Qendrore në Shqipër