Monedha e parë që përmban emrin ALBANIA


Eshtë prerje e Republikës së Venedikut, e përdorur në shekullin XVII e XVIII. Monedha, aliazh bakri, me diametër 28 mm, në një anë të saj ka të shkruar DALMA. ET ALBAN. Në anën tjetër SAN.MARC.VEN. Pra, kemi të bëjmë me monedha veneciane që përdoreshin në gjerdanin e qyteteve të bregut lindor të Adriatikut, disa prej tyre nën pushtimin turk, por nën pushtetin tregtar të Republikës së Venedikut, si portet e lira dalmatine Spalato, Raguza, Kotorr dhe ato shqiptare si Ulqin, Shkodër, Durrës,. Prerjet e monedhave Venedikase me emërtimin Dalmaci-Albania, përdorim kanë patur sidomos në territorin që Republika e quante "Shqipëria Venedikase", me të cilën identifikonte rajonin e Grykave të Kotorrit, rajon i cili u kishte shpëtuar kufizimeve venedikase për lundrimin, sepse aty ajo merrte një numur të madh detarësh, kapitenësh dhe armatorësh. Sulltani e kishte detyruar Republikën që të paguante një haraç prej 300.000 dukatash ari në vit, për të ruajtur e zhvilluar veprimtarinë në vendet jetësore të bregdetit Adriatik. Të nesërmen e betejës së Lepantos, në 1573-shin, nga Venediku dhe sulltani Selim II u nënshkrua traktati i paqes, ku parashikohej lëvizja e tregtia e lirë. Shqiptarët janë të vendosur në pika kyçe të detarisë e të tregtisë. Në historinë Dalmate, burimet Raguziane pohojnë se në vitin 1423, Grykat e Kotorrit të Epërm zotroheshin nga Shqiptarët. Qyteti i Raguzës popullohej nga një shumicë banorësh me origjinë sllave,Shqiptare e Italiane(Borgo Erizzo- Arbanasi). Në vitin 1716, Venediku, me përjashtim të Raguzës, mban të pushtuar tërë bregun Dalmat. Republika i kontrollon emëtimet e monedhave nëpërmjet bankave që ka themeluar, Banka e Rialtos dhe Banka Giro. Njëra nga këto dy banka ka prerë monedhat, për përdorim në territoret e Dalmacisë e Albanisë, e qarkulluar deri në fund të dominium maris. Monedhat, ku për herë të parë shfaqet emri perëndimor i vëndit tonë, njihet nga 6 dekrete të Senatit të Venedikut për emëtimin e monedhave DALMACIA Et ALBANIA.Më 1626, monedha bakri 1 Sold dhe 6 Bagatini; më 1684, monedha bakri 2 Soldi; më 1687 monedha argjendi me vlerë 4 e 8 Soldi dhe 20 Lireta; më 1724 dhe 1796, monedha bakri 1 e 2 Soldi; më 1700 , monedha "Luani i Argjendë", 10, 20, 40 e 80 soldi. Qarkullimi i këtyre monedhave dhe heqja nga përdorimi, duhej të merrte fund, kur Traktati i Campo Formios, nën diktatin e ushtrive Bonapartiste, zhdukte nga harta politike një nga republikat më të vjetra të botës. Por përdorimi i tyre zgjati deri në vitin 1806, kur francezët hynë në truallin e Republikës së Raguzës. Tashmë kjo monedhë u përket koleksioneve të numismatve Shqiptarë, Italjanë, Kroatë e Malazes.

Nisur nga parimi se "Shteti fillon nga posta dhe Banka",është vërtet e habitshme që të priten e të qarkullojnë për mëse 200 vjet, monedha me emrin e vëndit tonë, i cili ndodhej nën pushtimin turk. Veçoria e kësaj dukurie merr formë dhe bëhet bindëse kur sheh se në mesjetë, nga vitet pesëqind deri në fillimet e tetëqindës Shqipëria ndahej në tre pjesë- në Shqipërinë e zotruar nga venedikasit, në Shqipërinë e sunduar nga turqit dhe në Shqipërinë e sunduar nga vetë Shqiptarët ( territore të jugut Shqiptar, kryesisht Labëria-udhtari frëng D.Possot, 1532). Historianja dhe studiuesja e lidhjeve Shqiptaro-Venete, Luçia Nadin, nxjerr përfundimin se në gjashtëqindën ripushtimi venedikas i disa vëndeve strategjike në bregun lindor të Adriatikut, siç ishte kufiri Shqiptar në Grykat e Kotorrit, i dha jetë termit gjeopolitik mbi dy shekullor, të ashtuquajturës "Shqipëri Venedikase", si një nga lidhjet më të qendrueshme të zotërimit të Serenissimos.

Shtrirja gjeografike e njohjes dhe përdorimit të monedhave DALMA ET ALBAN, ka kaluar caqet e territorit për të cilin është emëtuar. Një njoftim me vlerë e sjell historiani, dr. Iljaz Rexha, që na bën të ditur se në Temën e Dokleas, në afërsi të vëndbanimit të hershëm Gusha, janë gjetur një sasi të këtyre monedhave. Afirmimi i emrit ALBAN, edhe pse nën pushtetmbajtës të huaj, është tejet e rëndsishme për vetëdijen kombëtare në shekujt XVI-XVIII.