HISTORIA E BANKËS QENDRORE NË SHQIPËRI. PERIUDHA 1863 - 1924

Ngritja dhe zhvillimi i veprimtarisë së bankave lidhet ngushtë me zhvillimin e përgjithshëm politik dhe ekonomik të
trojeve shqiptare, me përpjekjet e popullit tonë për të shpallur Shqipërinë, shtet të lirë dhe të pavarur. Këto përpjekje
e kanë zanafillën e tyre në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe shtrihen deri në fund të çerekut të parë të shekullit XX.
Duke analizuar procesin e përpjekjeve që janë bërë për krijimin e Bankës Kombëtare, të sistemit monetar dhe të
kreditit në Shqipëri, ne dallojmë tre faza të rëndësishme që lidhen ngushtë me njëra-tjetrën, si pjesë të procesit për
krijimin dhe konsolidimin e Shtetit Shqiptar:
1. Përpjekjet për krijimin e Bankës Kombëtare Shqiptare nga gjysma e dytë e shekullit të XIX deri në vitin 1912.
2. Marrëveshja e Qeverisë së Ismail Qemalit për ngritjen e Bankës Kombëtare të Shqipërisë me grupet bankare
italiane dhe austriake, 4 tetor 1913.
3. Projektet për ngritjen e Bankës Kombëtare të Shqipërisë gjatë viteve 1913-1925
Shqipëria hyri në rrugën e zhvillimit kapitalist më vonë nga shtetet e tjera. Marrëdhëniet kapitaliste duken në fillim të
shekullit të XIX. Në këtë proces u ngritën manifakturat e para dhe lindi kështu nevoja e krijimit të bankave, sistemit
monetar dhe të kreditit në Shqipëri.
4 shkurt 1863
Krijimi i Bankës Perandorake Otomane si bankë emisioni e Perandorisë Turke. Kjo bankë, e cila ishte nën kontrollin e kapitalit anglo-francez, shtriu veprimtarinë e saj edhe në Shqipëri. Kapitali i saj në fillim ishte 2,7 milionë lira angleze ndërsa më vonë arriti në 5 milionë lira angleze.
Ajo zhvilloi veprimtarinë edhe në fushën e kreditit dhe kishte filialet e veta në Shkodër, në Janinë, në Shkup dhe në Manastir.

Selia e Bankës e cila gjendet në rrugën e bankave, në lagjen Gallata (Banks Street Galata), mbeti si e tillë deri në vitin 1999.

1888
U krijua Banka Agrare Turke mbi bazën e “Arkave Krahinore” (Memleket Sandιklarι) dhe “Arkave të interesit”
(Menafi Sandιklarι). Kapitali i kësaj banke ishte 10 milionë lira turke. Ky kapital formohej edhe nga një pagesë prej 1 për
qind që fshatarësia ishte e detyruar të jepte mbi prodhimet e veta.
Banka Agrare Turke zhvilloi veprimtari në Shqipëri gjatë disa viteve me radhë. Ajo hapi degë, agjenci dhe arka në Shkodër, në Kavajë, në Tiranë, në Elbasan, në Berat, në Korçë etj.

Në vitin 1912 kjo bankë kishte dhënë në Shqipëri rreth 6,7 milionë groshë ar kredi, pjesën më të madhe të të cilave me afat të gjatë. Botohet vepra e ideologut të shquar të Rilindjes Kombëtare Sami Frashëri, titulluar “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e
ç’do të bëhetë ?”. Kjo është një vepër e shquar me karakter politik, ekonomik dhe shoqëror. Aty janë formuluar
problemet e perspektivës së ndërtimit të Shtetit Shqiptar dhe, ndër të tjera, mbi baza botëkuptimore përparimtare e
patriotike, janë dhënë mendime dhe ide për ngritjen e sistemit monetar dhe të kreditit në Shqipëri, që paraqesin një
interes të veçantë.
Sami Frashëri e vlerësonte ngritjen e sistemit monetar dhe të kreditit në Shqipëri, si një nga masat e para të ngutshme
të Shtetit të ri Shqiptar që do të krijohej me fitoren e pavarësisë. Sipas tij, në Shqipëri duhej medoemos të ngrihej një
bankë emisioni, me funksione edhe të kreditit, e cila të kishte një karakter kombëtar dhe të ishte nën drejtimin e Qeverisë së Shqipërisë.
Në veprën e tij ai mendonte dhe kërkonte që sistemi ynë monetar të mbështetej në standardin e arit të monetuar
sipas të cilit do të bëhej shkëmbimi i lirë i kartëmonedhave me ar. Në Shqipëri duhej të kishte në qarkullim kartëmonedha,
dhe krahas tyre do të priteshin edhe monedhat prej ari, argjendi e nikeli. Samiu propozonte që si njësi bazë e sistemit
tonë monetar të ishte frangu. Njëzet franga do të ishin baraz me 1(një) lirë . Lira do të kishte pjesët e saj gjysmë lire dhe
një e katërta e lirës. Një frang do të ndahej në 100 qindar ose, sikurse i quante Samiu, cinga.
Banka e emisionit do të zhvillonte veprimtarinë e saj edhe në sistemin e kreditit. Sipas Samiut, banka duhej t’u kushtonte rëndësi të veçantë veprimeve për mobilizimin e mjeteve të lira. Ajo do të merrej edhe me dhënien e kreditit për sektorët e ndryshëm të ekonomisë.

prill 1901
Në prill të vitit 1901, kur kontradiktat italo-austriake lidhur me interesat e tyre në Ballkan, ishin ashpërsuar, Antonio
Baldacci botonte artikullin “Italia dhe tregtia jonë me Malin e Zi dhe Shqipërinë Veriore” (“L’Italia e il nostro commercio con il Montenegro e con l’Albania settentrionale”). Në këtë artikull ai propozonte që kapitali italian të ngrinte një bankë në Malin e Zi, që do të shërbente jo vetëm për investimin e kapitaleve në degë të ndryshme të ekonomisë së
atij vendi, por edhe, të mundësonte rritjen e ndikimit italian në ekonominë shqiptare.

1903
Në Gazetën e Italisë (Giornale d’Italia) që dilte në Romë, u botua artikulli i deputetit italian A.di San Giullianno me titull “Letra mbi Shqipërinë” (Lettere sull’Albania). Në këtë artikull, propozohej ngritja e një banke italiane në Shkodër.

1906
U botua në Romë, libri i Batista Pellegrinit me titull “Drejt luftës? Mosmarrëveshjet mes Italisë dhe Austrisë” (“Verso
la Guerra? Il dissidio fra l’Italia e l’Austria”). Në këtë vepër, i propozohej Qeverisë Italiane dhe përfaqësuesve të
kapitalit italian, që të investonin veçanërisht për ngritjen e bankave në Shqipëri.

1907
Banca Commerciale d’Oriente hapi një filial të vetin në Shkodër, me emrin Banca “Tozzi and Company”.

1909
Disa kohë mbasi kishte qarkulluar vepra e Sami Frashërit, në Venecia të Italisë botohet vepra e ekonomistit të shquar
nga Shkodra, Gaspër Guga, titulluar “Shqipëria e dy Vilajeteve të Adriatikut. Çështje të morfologjisë dhe të
antropogjeografisë në rajonin shqiptar. Marrëdhëniet e saj tregtare me Italinë dhe Austrinë. E ardhmja e saj ekonomike.”
(“L’Albania dei due Vilajet Adriatici. Appunti di morfologia e d’antropogeografia nella regione albanese. I suoi
rapporti commerciali con l’Italia e con l’Austria. Il suo avvenire economico”).
Në këtë vepër, ai jep skemën për themelimin e një banke e cila duhej të kishte degën tregtare, atë financiare dhe atë teknike. Sipas tij, kjo bankë do të ishte qendra kryesore për financimin e shoqërive të ndryshme aksionere, që do të ngriheshin në vend. Në krijimin e sistemit të kreditit në vend, Gaspër Guga shikonte një mjet për fuqizimin e ekonomisë shqiptare kapitaliste në rritje.
28 nëntor 1912
Pas afro pesë shekujsh robërie, populli shqiptar shpalli pavarësinë e tij kombëtare. Kjo ishte një kthesë e rëndësishme
në historinë e tij mijëvjeçare, e cila pati një rëndësi të madhe për zhvillimin e mëtejshëm dhe të shpejtë politik,
ekonomik dhe shoqëror të vendit. Megjithë gjendjen tepër të vështirë në të cilën ndodhej, Qeveria e Përkohshme e
Ismail Qemalit mori një sërë masash për konsolidimin e Shtetit të ri Shqiptar.
U bë hapi fillestar për ngritjen e strukturave të shtetit, të dikastereve qendrore dhe të organizmave të lidhur me to.
Politika ekonomike e Qeverisë së Ismail Qemalit pati si qëllim t’i vinte në ndihmë borgjezisë shqiptare në rritje. Në
kuadrin e këtyre masave një rol të veçantë do të luante bashkëpunimi i saj me shtetet e fuqishme perëndimore, për
ngritjen e Bankës Kombëtare të Shqipërisë.
4 tetor 1913
Përfundoi Marrëveshja e Qeverisë së Ismail Qemalit, për krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, me Karol
Pitner e Oskar Pollak, përfaqësues të Wienner Bank Verein, që vepronte në emër të grupit bankar austro-hungarez
dhe me Pietro Fenolio e Guido Ansbaher përfaqësues të Banca Commerciale Italiana, që vepronte në emër të grupit
bankar italian.
Kjo marrëveshje përfaqësonte një koncesion për një periudhë 60 vjet nga data e themelimit të bankës, me të drejtë
zgjatjeje. Një vit para skadimit të koncesionit, Qeveria mund të njoftonte prishjen e kontratës ose përndryshe koncesioni
automatikisht quhej i shtyrë edhe për 30 vite të tjera.
11
Kapitali i bankës do të ishte 10 milionë korona ose 10,5 milionë lireta, i formuar në monedhë ari dhe do të derdhej
sipas nevojave të bankës. Kapitali mund të rritej një herë a më shumë, me vendim të mbledhjes së përgjithshme të
aksionerëve.
Banka do të drejtohej nga një Këshill Administrimi me përbërje nga dy grupet themeluese dhe me përfaqësues
shqiptarë. Këshilli ia delegonte fuqitë e veta Komitetit Drejtues me dy deri në katër anëtarë.
 Marrëveshja parashikonte që Banka Kombëtare e Shqipërisë të kryente një numër të konsiderueshëm veprimesh:
shitblerje titujsh, monedhash, metalesh të çmuara, mallrash tregtie, për llogari të vet dhe për llogarinë e të tjerëve,
dhënie parapagesash (avansesh) për sigurim malli, tituj etj.. Gjithashtu, ajo merrte përsipër edhe pranimin e depozitave
dhe dhënien e kredive për shoqëritë dhe ndërmarrjet tregtare, industriale, financiare e bujqësore. Banka merrte përsipër
edhe kryerjen e emisionit të obligacioneve të garantuara si dhe kryerjen e veprimeve hipotekore.
Banka Kombëtare e Shqipërisë mbetej i vetmi institucion të cilit i njihej e drejta për emetimin e kartëmonedhave
(biletave bankare) që u vendos të emetoheshin në shqip dhe në frengjisht. Ajo duhej të mbante në ar 1/3 e sasisë
totale të kartëmonedhës në qarkullim.
Banka do të ishte i vetmi agjent financiar i qeverisë, si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij. Vetëm ajo kishte të drejtën
të tregtonte për llogarinë e qeverisë bonot e thesarit dhe letra të tjera me vlerë të qeverisë.
Qeveria e Ismail Qemalit synonte nga njëra anë të konsolidonte Shtetin e ri Shqiptar dhe nga ana tjetër të ndihmonte
borgjezinë shqiptare, e cila ishte në hapat e parë të saj. “E them me lavdurim- vinte në dukje Ismail Qemali në fjalimin
që mbajti në sheshin e mbledhjes në Vlorë,- se puna e Bankës për Shqipërinë është një i dyti fitim, pas lirisë, edhe nga
pikëpamja ekonomike dhe politike”.
Kështu, Ismail Qemali mori të gjitha masat që ndërsa përgatitej dhe firmosej marrëveshja mbi ngritjen e bankës
kombëtare, të krijoheshin të gjitha kushtet që ky institucion të fillonte punën pa humbur kohë.
Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, Qeveria e Ismail Qemalit depozitoi pranë bankës fondet që dispononte
dhe u bëri thirrje tregtarëve që të depozitonin në bankë mjetet e tyre të lira.
 1913-1914
Studiuesi shqiptar Haxhi Shkoza, i cili në atë periudhë punonte në financat lokale të Elbasanit, të Beratit dhe të
Vlorës, shkruan:
“Dihet se këjo bankë filloj n’ushtrimin e veprimeve të saja me Qeverin lokale dhe me privatët, por nuk qe e mundun
me vum në dorë ndonji akt zyrtar mbi ato veprime qi ajo bani gjatë periudhës së qëndrimit n’atë vend si dhe mbi kohën
e largimit e mënyrën e likuidimit të sajë. Vetëm asht e mundun me marrë njoftim prej nji konti-korent qi banka ka pasun
atëherë me financën e vendit së cilës i ka pasë lëshuem dokumentin qi pason:
Syndikati për Bankën Kombtare të Shqipnis
Me diftesën Nr.1 datë 6-X-1913 ka marrë nga arka e Financave të Vlorës grosh 545.283 (Nr.lib.arkës 930)
Terhequn nga banka në tri herësh grosh 257.000
Ngelun për të marrë nga banka grosh 288.283.”
Mirëpo banka veproi për një kohë shumë të shkurtër. Pasi kreu disa veprime me qeverinë e Ismail Qemalit dhe disa
subjekte private e pushoi aktivitetin e saj. Kjo, jo për faj të Qeverisë Shqiptare, por për shkak të zhvillimeve politike
që ndodhën me shpërthimin e luftrave ballkanike dhe të Luftës së Parë Botërore.
12
13
14
1914-1918
Gjatë kësaj periudhe trojet shqiptare u bënë shesh i luftimeve të fuqive të huaja. Për qëllimet e tyre ato ngritën në
Shqipëri filiale të bankave, që financuan ushtritë me monedhat e tyre. Kështu, në qytetin e Shkodrës hapën degët
Wiener Bank Verein, Pester Bank dhe Ungarische Bank. Por, veprimtaria e tyre qe e kufizuar në fushën e kreditimit.
6 maj 1920
Me ligjin nr. 41 të kësaj date, u emetua huaja e brendshme e Shtetit Shqiptar me prerje 50 franga ari. Kjo hua
përbëhej nga një radhë me 40.000 pjesë të një shume prej 2 milionë frangash ari. Secila pjesë e radhës kishte çmimin
50 franga ari dhe ndahej në tri kupona. Çdo kupon kishte të shënuar shumën e të hollave, që do të shlyhej deri në fund
të vitit si dhe përqindjen e interesit. Çdo kupon ishte caktuar, nga arkëtarët e zyrave të financave të shtetit, të shlyhej
deri në 1 nëntor të viteve 1921, 1922, 1923.
Huaja e Brendshme e Shtetit Shqiptar, 1920.
gusht 1920
Filluan bisedimet italo-shqiptare për një sërë çështjesh ekonomike me interes të ndërsjellë midis përfaqësuesve të
Qeverisë Shqiptare, kryesuar nga Sulejman Delvina dhe përfaqësuesve të Qeverisë Italiane. Lidhur me çështjen e
bankës kombëtare, Qeveria e Sulejman Delvinës deklaroi se marrëveshja e tetorit 1913 nuk ishte e përshtatshme për
Shqipërinë dhe kërkoi kushte më të favorshme. Ajo shprehu gatishmërinë për të diskutuar me ndonjë grup financiar
italian për krijimin e një banke të Shtetit Shqiptar, me kapital të përbashkët shqiptaro-italian, e cila duhet të kishte
karakterin e një personi juridik shqiptar.
Vitet 1921-1924
Pas Luftës së Parë Botërore, kapitali shqiptar i cili kishte realizuar akumulimin fillestar, filloi përpjekjet për zgjerimin e
aktiviteteve ekzistuese dhe për ngritjen e aktiviteteve të reja. Deri në vitin 1921 kishte një mori monedhash turke,
austriake, italiane, greke, serbe etj., të cilat qarkullonin në tregun shqiptar. Në mungesë të sistemit bankar krediti ishte në
15
dorë të fajdexhinjve, gjë që në një shkallë të konsiderueshme frenonte zhvillimin e ekonomisë. Në këto rrethana, lindi
si nevojë urgjente krijimi i sistemit monetar dhe të kreditit në Shqipëri, me anë të të cilit jo vetëm do të krijoheshin lehtësi
për rritjen e prodhimit dhe të shkëmbimit të mallrave, por edhe do të disiplinoheshin këto shkëmbime.
Vitet 1923 – 1924
Gjatë periudhës 1923-1924 pati një konkurrencë të madhe mes shteteve të zhvilluara ekonomikisht të Evropës
Perëndimore si Anglia, Franca, Italia, lidhur me marrjen e koncesioneve ekonomike në Shqipëri, ku vend qendror kishte
koncesioni mbi bankën.
16 maj 1921
Në Këshillin Kombëtar të Shqipërisë (Parlamenti Shqiptar) u diskutua për çështjen e themelimit të bankës kombëtare
dhe u vendos dërgimi në Itali i një delegacioni parlamentar prej tre vetash, kryesuar nga Ministria e Financave për të
biseduar lidhur me çështjen në fjalë. Kjo nismë nuk ia arriti qëllimit, pasi palët nuk ranë dakord për kushtet e marrëveshjes
për krijimin e bankës.
25 qershor 1921
U vendos për herë të parë, që nxjerrja e të ardhurave shtetërore të llogaritej mbi bazën e frangut ar, sipas këtij kursi
: lira stërlinë barazohej me 25 franga ar, lira turke me 22 franga ar, napoloni me 20 franga ar. Këtij kursi i bëhej një
zbritje prej 10 për qind për kartëmonedhat e ndryshme (përveç dollarit) dhe një zbritje prej 5 për qind për monedhat
e argjendta.
20 Skënderë 9.11.1921, emetuar me rastin e caktimit të kufijve të Shqipërisë.
shkurt 1922
Në Këshillin Kombëtar të Shqipërisë (Parlamenti Shqiptar) u diskutua për masat që duheshin marrë në fushën e
monedhës dhe u paraqitën tre projekte për këtë qëllim.
mars 1922
Në bazë të tre projekteve të mësipërme, doli ligji për emetimin e kartëmonedhës kombëtare me një shumë prej 3
milionë frangash ar. Por, ky ligj nuk hyri në fuqi, për një sërë shkaqesh, ndër të cilat mungesa e përvojës dhe e
përgatitjeve serioze për zbatimin e një mase të tillë.
16
qershor 1922
Qeveria Shqiptare i drejtohet Lidhjes së Kombeve me kërkesën për të dërguar një këshilltar dhe disa teknikë, të
cilët do të sugjeronin masa të mundshme për nxitjen e pjesëmarrjes së kapitaleve të huaja në shfrytëzimin e burimeve
natyrore të vendit tonë.
shtator 1922
Profesori luksemburgas, ekspert në fushën ekonomike dhe financiare, Albert Kalmes u dërgua nga Komiteti Financiar
i Lidhjes së Kombeve, bazuar në kërkesën e Qeverisë Shqiptare, të qershorit 1922.
Ai paraqiti një raport të hollësishëm mbi gjendjen e atëhershme dhe mbi masat që duheshin marrë. Në Shqipëri në
atë kohë vlerësohej të kishte 50-100 milionë franga ari monedha në qarkullim dhe të thesarizuara.
Kalmes propozonte që të krijohej një bankë emisioni dhe e kreditit. Ai sugjeronte që banka të krijohej pjesërisht
me kapitale të huaja dhe pjesërisht me kapitale të vendit, e të drejtohej nga të huajt. Banka do të kishte të drejtën
ekskluzive për hedhjen në qarkullim të kartëmonedhave. Përveç kësaj, do të merrej edhe me veprime krediti, madje,
krahas kësaj banke do të krijohej edhe një bankë e veçantë, që të zhvillonte veprimtarinë e kreditit.
janar 1923
Qeveria nxori një ligj që autorizonte bashkitë e vendit të emetonin kartëmonedha në një shumë deri në 80 mijë
franga ar dhe në prerje të ndryshme. Mbështetur në këtë ligj, bashkitë e Shkodrës, të Korçës, të Vlorës, të Fierit etj.,
nxorën në qarkullim kartëmonedhat e tyre.
50 qind kart, 01.05.1924 (Kartëmonedhë e Bashkisë së Vlorës).
50 qind kart, 1924 (Kartëmonedhë e Bashkisë së Fierit).
17
1 lirë Italiane, 1924 (Kartëmonedhë e Dhomës Tregtare Berat).
1923
Gjatë këtij viti, Lidhja e Kombeve bëri disa orvatje për të ndihmuar Shqipërinë për krijimin e bankës. Me kërkesën
e Qeverisë Shqiptare, ajo dërgoi një këshilltar holandez, Hunger, të cilit iu ngarkua detyra e parashtrimit të projektit për
krijimin e bankës.
11 prill 1924
Mendimtari përparimtar, Avni Rustemi, botoi në gazetën “Dajti” artikullin me titull “Kasat e Kursimit dhe Banka
Kombëtare”. Në këtë artikull ai dha mendime e zgjidhje dhe për çështjen e krijimit të bankës kombëtare. Aty ai i jepte
rëndësi krijimit të bankës si institut kombëtar dhe veçanërisht përqendrohej në faktin që kapitali i bankës duhej të ishte
tërësisht shqiptar.